Vllaznia do të luaj sot në 14:00 ndaj Flamurtarit në “Loro Boriçi”, ndeshjen e fazës së dytë të Kupës së Shqipërisë. Shkodranët e shohin Kupën si një mundësi të mirë për të kapur një vend në Europë, teksa nuk kanë nënvlerësuar aspak vlonjatët.
Në faqen zyrtare të klubit bëhet me dije se Vllaznia ka grumbulluar të gjithë lojtarët që ka në dispozicion, duke mos nënvlerësuar aspak kundërshtarin. Kupa e Shqipërisë shihet si shpëtimi i vetëm për Flamurtarin, që këtë sezon renditet në vendin e fundit të Superligës. Shkodranët kanë publikuar edhe çmimet e biletave për duelin e sotëm ndaj Flamurtarit.
Njoftimi i Vllaznisë:
Vllaznia dhe Flamurtari do të ndeshen sot në orën 14.00 në stadiumin “Loro Boriçi”, por këtë herë në kuadrin e takimeve të vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Ato do të luajnë me njëri- tjetrin takimin e parë të turit të dytë të këtij kompeticioni. Ekipi shkodran i ka kushtuar vëmendje maksimale kësaj sfide dhe këtë e tregon më së miri fakti se stafi teknik ka grumbulluar të gjithë lojtarët që ka në dispozicion.
Nga ana tjetër, ka nisur edhe shitja e biletave për këtë sfidë dhe çmimet e biletave do të jenë si më poshtë:
Tribuna C 100 lekë
Tribuna D 200 lekë
Tribuna A-B 300 lekë
Tribuna VIP 500 lekë
KF Vllaznia fton tifozët të jenë në shkallët e stadiumit për të vijuar mbështetjen ndaj skuadrës tonë edhe në këtë kompeticion ku padyshim që kemi objektiva për të shkuar sa më larg.