Tirana ka zhvilluar stërvitjen e radhës me lojtarët që trajneri Ze Maria ka në dispozicion, i vetmi “peng” mbetet mesfushori Toni Maveje, i cili ende nuk ka siguruar vizën për tu vënë nën urdhrat e teknikut.
Edhe pse ndeshja mes Ugandës dhe Ganës ka përfunduar, lojtari ka mbetur në vendlindje. Dokumentacioni është plotësuar, por ende nuk është kthyer një përgjigje, gjë e cila ka penguar lojtarin të udhëtojë drejt Shqipërisë.
Mësohet se, ditët në vijim do bëhen të gjitha përpjekjet që lojtari të marrë vizën, por i sigurt është fakti që humb transfertën me Shkumbinin. Ndërkohë trajneri Ze Maria ka bërë planet duke fiksuar titullarët për transfertën e radhës. Në portë mbetet Lika, në mbrojtje Kërçiku, Turtuli, Uellison dhe Hoxhallari, në mesfushë Karabeci me Dajën dhe në sulm Ngoo, i cili do mbështetet nga Doka në të djathtë dhe Sentamusë në të majtë, ndërkohë që Qilimi është “asi” nën mëngë i teknikut, i cili do zëvendësojë Mavejen.