Dinamo luan në Kategorinë e Parë këtë sezon dhe lufton për mbijetesë. 18 herë kampionia e Shqipërisë që dikur i jepte tonin futbollit shqiptar, tani “lundron” në ujëra të turbullta. Shpresa për tifozët është që klubi është marrë në pronësi nga disa investitorë italian që kanë synim madhor për të kthyer Dinamon në elitë.
Në faqen zyrtare, klubi duke parë mungesën e aktiviteteve publikon çaste nga ndeshjet e luajtur ndër vite. Në videon e postuar është sfida ndaj Apolonisë e fituar 2-0 në sezonin 1989-90. Në atë edicion Dinamo arriti të dilte edhe kampion për herë të 15-të në historinë e saj dhe kishte në përbërje emra të mëdhenj të futbollit shqiptar.
Dinamo kampione, nën drejtimin teknik të Bejkush Birçes dhe mjeshtrit dinamovit Vasillaq Zëri, kishte në përbërje disa nga yjet më të mëdhenj të futbollit shqiptar, si Sulejman Demollari, Eduard Abazi, Foto Strakosha, Rudi Vata, Ermal Tahiri, A. Canaj, P. Noga, I. Sillo, A. Milori, Gj. Xhafa, A. Jance, A. Ferko, I. Daja, V. Briza, A. Stafa, J. Gjergji, I. Bozhiqi, A. Alku, etj., që luajtën më pas me sukses edhe në ekipe të njohura europiane, duke qenë gjithashtu për shumë vite kapitenët dhe protagonistët e skuadrës Kombëtare shqiptare.