Çështja e stadiumit “Selman Stërmasi” dhe kërkesa e Partizanit për të luajtur ndeshjet si pritës në shtëpinë e Tiranës ka marrë përmasa jo të vogla.
Debati është shtruar jo vetëm në zyrat e të dy klubeve, por edhe tifozëve dhe protagonistëve të sportit dhe futbollit në veçanti, të cilët edhe përmes komenteve të tyre në neësport.al kanë dhënë mendimet mbi këtë problematikë.
“Ultras Guerrils” dolën dje me një deklaratë në faqen zyrtare në Facebook, duke “kërcënuar” se nëse Partizani nuk do të luajë në “Selman Stërmasi”, derbi nuk do të ketë më.
Por, sot nuk ka munguar as replika përmes ironisë nga ana e tifozëve të Tiranës. Një video-montazh me pamjet e “Selman Stërmasit” dhe me tingujt e këngës “Të dua” të G-Banit ft. Crazy Girl është kthyer në “hit” duke u shpërndarë nga fansat e 24 herë kampionëve të vendit.
Ndërkohë që në faqen e Facebook-ut, “Danoçat Tirona Fanatics-D.T.F” nuk është kursyer “thumbimi” për tifozët e kuq me një pasazh nga filmi “Tomka dhe shokët e tij”.