Kreu i Bashkisë Kukës dhe njëkohësisht presidenti i klubit të futbollit, Safet Gjici ka bërë publike pamjet e ndërtimit nga stadiumi i qytetit. Duket se impianti i ri në Shqipëri po merr pamjen finale, me tribunën që është mbuluar. Tanimë fusha është niveluar dhe po pret vetëm mbjelljen e barit.
Një nga tribunat anësore është lënë pa ndërtuar, pasi te verilindorët kanë ndryshuar projektin. Veç tribunës për tifozët, aty parashikohet të ndërtohet edhe hoteli i skuadrës për ndeshjet brenda, një sallë force dhe të gjitha gjërat e domosdoshme për një klub futbolli. Veç barit, stadiumi pritet të mobilohet edhe me ulëset për tifozët.