Lushnja prej disa sezonesh nuk po ia del të ringjitet në Kategorinë Superiore, megjithëse në përbërje të ekipit ka pasur lojtarë të mirë. Kjo nuk i pengon lagunarët që këto ditë të jenë nostalgjikë, duke publikuar pamje nga pjesëmarrja në elitën e futbollit në vend.
Stadium i tejmbushur, tifozeri e zjarrtë dhe një perlë nga Lorenc Trashi, asokohe debutues me verdhjeshilët në Kategorinë Superiore. Një perlë fluturimthi nga e majta, që do të shtangte Kukësin në “Roza Haxhiu”, atë pasdite 4 shtatori 2013. Verilindorët vinin pas kalimit të disa raundeve në kompeticionet Europiane, megjithëse goli i lojtarit të Kombëtares tanimë, do i jepte tri pikë Lushnjës.