Prej më shumë se dy vitesh ka nisur puna për ndërtimin e kompleksit të Partizanit, i cili do të përmbante edhe një stadium me një kapacitet prej 4500 vendesh. Por, deri më tani gjithçka kishte mbetur në vend numëro. Presidenti Gaz Demi shpesh herë për mediet ka deklaruar se kampionët do të kenë shtëpinë e tyre shumë shpejt dhe në fakt kështu duket.
Në një video të postuar në rrjetet sociale, tifozët e kuq kanë qenë prezentë në periferi të Tiranës aty ku po ndërtohet kompleksi i 16-herë kampionëve të Shqipërisë. Nga video shihet që ka rinisur puna teksa duken mjetet e rënda duke punuar. Një lajm i mrekullueshëm ky që vjen për kryeqytetasit në një moment kur skuadra janë pushim për shkak të ndeshjeve të Kombëtares. Pritet me interes të shihet se kur do të përfundojë ky kompleks, pasi në shumë raste janë përcaktuar afate kohore, por pa mundur t’i zbatojë askush.