Roma ka fituar 1-0 me Cagliarin për javën e 22 të Serie A. Sfida për romanët është vendosur nga një gol i Oliveira me penallti në minutën e 33. Debutim me gol deçiziv për portugezin, që tregoi qysh në sfidën e parë aftësitë në mesin e fushës.
Ekipi nga kryeqyteti i Italisë ishte me fat në fundin e sfidës, me miqtë që goditën traun e portës me Joao Pedro. Në këtë duel për Romën luajti 90 minuta edhe Marash Kumbulla, me mbrojtësin e Kombëtares që ishte ndër më të mirët për të tijtë, duke merituar notën 7.5 në këtë duel.
Me këtë fitore Roma shkon në kuotën e 35 pikëve në vendin e 6, ndërsa Cagliari mban pozitën e tretë nga fundi me 16 pikë.