FT Kukësi 2 – 0 Vllaznia (Sh. Taipi 29′, Ndreca 82)
Kukësi ka mposhtur 2-0 Vllazninë. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin e Rrogozhinës vlente për javën e gjashtë të Superligës, me verilindorët që i janë falur dy supergolave të Shqiprim Taipit dhe Ndrecës.
Të besuarit e Longos ia dalin që pas tre ndeshjeve të kthehen te pikët e plota, duke i shkaktuar shkodranëve humbjen e parë sezonale. Fitorja 6-3 e Vllaznisë me Dinamon duket se ka “shterrur” sulmin kuqeblu, që nuk shfrytëzuan rastet e krijuara me Da Silvën dhe Aralicën. Nga një gol në secilën pjesë ka vendosur sfidën, që ishte me mjaft raste shënimi.
Me këtë fitore, Kukësi shkon në kuotën e 11 pikëve, duke marrë kreun së bashku me Tiranën (-1 ndeshje) dhe Teutën. Vllaznia mbetet në kuotën e nëntë pikëve në vendin e katërt.
Kategoria Superiore – java 6 – 13:45
Stadiumi: Arena Egnatia, Rrogozhinë
Arbitër: Kreshnik Cjapi VAR: Enea Jorgji, Ani Kociaj
Formacionet zyrtare:
Kukësi (4-3-3): Tafas, Peposhi, Bytyçi, Lulaj, Ndreca; De Lucas, Sh. Taipi, Hila; Gj. Taipi, Milunoviç, Feijao Trajner: Diego Longo
Vllaznia (4-2-3-1): Zogoviç; Gurishta, Diagne, Adili, Hakaj; Jonuzi, Heriç; Da Silva, Latifi, Djurdjeviç; Aralica Trajner: Thomas Brdaric
Komenti minutë pas minute:
90+6′ Mbyllet 2-0 ndeshja në Rrogozhinë.
91′ Mustedanagic merr kartonin e kuq te Vllaznia. Cjapi konsultohet me VAR dhe merr vendimin.
90′ Gjashtë minuta shtesë.
87′ Kukësi gjen golin e tretë, ndalet loja për pozicion të parregullt.
82′ GOOL! Ndreca realizon një gol të bukur. Goditja e mëngjarashit shtang portierin Zogovic, me sferën që përfundon në rrjetë. 2-0 Kukësi.
75′ Tafas rrezikon me pasigurinë e tij, korrigjon pak çaste më vonë.
66′ Gurishta merr karton të verdhë, humbet klasiken e futbollit Vllaznia – Tirana që luhet javën e ardhshme. Kapiteni plotëson numrin 4 të kartonave të verdhë.
61′ Delegati Alban Tafaj i tërheq vëmendjen arbitrit Cjapi për sjelljen e tifozëve të Vllaznisë që ndodhen pas asistentit të parë.
59′ Zinedin Mustedanagic merr vendin e Da Silvës te Vllaznia.
57′ Zogovic largon topin në rolin e mbrojtësit, nuk përfiton Feijao.
48′ Sërish Aralica, goditja me të majtën nga sulmuesi shkon jashtë. Kërcënon Vllaznia.
46′ Aralica provon me kokë gjatë një krosimi, sfera mbi portën e Tafas.
46′ Nis pjesa e dytë në Rrogozhinë.
45+1′ Mbyllet 1-0 pjesa e parë. Brdaric motivon të tijtë në fundin e 45 minutave.
45′ Një minutë shtesë.
43′ Sh. Taipi tenton sërish nga brenda zone, topi del jashtë.
41′ Gurishta ndal Feijao në hyrje të zonës, kapiteni shkodran largon një top të rrezikshëm.
29′ GOOL! Shqiprim Taipi zhbllokon ndeshjen me një perlë nga 30 metra. Goditja e mesfushorit ndalet në trekëndëshin e Zogovic.
27′ Da Silva merr karton të verdhë.
24′ Da Silva gabon vetëm me portierin Tafas, braziliani shpërdoron te Vllaznia rastin e ndeshjes.
12′ Milunovic godet nga brenda zone, topi kalon pranë portës mike. Rrezikon Kukësi për golin e parë.
8′ Pasim fantastik nga mesi i fushës, Aralica vetëm me portierin e Kukësit. Anësori ngre flamurin për pozicion jashtë loje të çuditshëm.
5′ Djurdjevic ndërhyn te Gj. Taipi. Te Kukësi protestojnë për karton të verdhë, Cjapi këshillon sulmuesin mik.
1′ Nis ndeshja me topin e parë shkelmuar nga Vllaznia.