Ish mesfushori i Kombëtares, është bërë sërish protagonist me ekipin e tij në Australi Melbourne Victory. Fantazisti 33 vjeçar ka hapur serinë e golave në fitoren e bujshme të Melbourne ndaj Bali United (5-0).
Në sfidën e vlefshme për AFC Champions League, Basha arriti të shënonte golin e parë të ndeshjes në minutën e 14. Topi i krosuar tokazi nga krahu i djathtë gjeti ish mesfushorin e Kombëtares, i cili goditi me të majtën nga 16 metra duke e çuar sferën në trekëndëshin e portës kundërshtare.
Ky është goli i dytë i realizuar nga Migjen Basha me fanelën e Melbourne, pasi më parë ka shënuar ndaj Newcastle Jets, në fitoren 4-0, në ndeshjen e zhvilluar në 5 janar.