Kukësi – Partizani e mbyllur me rezultatin 1-0 në favor të verilindorëve ka prodhuar shumë polemika. Veç golit të diskutuar të Abazajt dhe penalltisë së padhënë pas prekjes me dorë të Hektor Idrizajt në favor të nënkampionëve, tjetër rast flagrant është pozicioni i rregullt i sulmuesit të Partizanit Solomon.
Në pjesën e parë, sfida ishte me shifra të bardha 0-0 dhe lojtari i të kuqve merr një asist nga mesi i fushës. Pamjet filmike tregojnë se sulmuesi i Partizanit ndodhet në pozicion të rregullt, por për asistentin Ridigert Çokaj ai është jashtë loje. Vlen të përmendet fakti se Çokaj u vlerësua si gjyqtari anësor më i mirë për vitin 2019-të.
Të gjithë në panelet sportive deklaruan se është një rast i vështirë, por i pastër si pozicion i rregullt. Shkëlqim Muça u shpreh në emisionin “Rubrika Sportive”: “Duke qenë se është rast i vështirë, pse e dha offside? Pse nuk lejoi të vazhdonte loja? Pamjet janë të qarta që futbollisti i Partizanit është në pozicion të rregullt. Këtu ndeshja ishte 0-0, e? Nëse do lihej ky pozicion si i rregullt, atëherë mund të kishte rrjedhë tjetër”.
Nëse për rastin në fjalë po flasim për një nga arbitrat e vlerësuar maksimalisht nga FSHF-ja, si do të ishte vendimi nga një gjyqtar tjetër? Jo më kot “bilbilat” anësor analizohen dhe vlerësohen pikërisht nga këto raste që bëjnë diferencën nga ato elementare.