Frederik Veseli po kalon një moment të mirë në Serinë A me Empolin, ndërsa në ndeshjen e djeshme që skuadra e tij fitoi 3-0 ndaj Peskarës, mbrojtësi kuqezi dha asis në golin e tretë.
Nga aeroporti i Tiranës ku ka zbritur sot për grumbullimin me Kombëtaren, Veseli ka deklaruar se do të ishte mirë sikur Italia të ndalej në ndeshjen e saj dhe Shqipëria të fitonte ndaj Izraelit për të marrë kështu vendin e dytë në renditje.
“Shpresoj të kem bindur trajnerin e Empolit, por edhe trajnerin De Biazin gjithashtu me formën time dhe paraqitjet e fundit në Serinë A. Jam i kënaqur që kam ndihmuar ekipin tim të arrijë sukseset në Serinë A.
Kam luajtur 5 ndeshje në kampionat këtë sezon dhe kam objektiv të qëndroj sa më shumë te Empoli.
Kundër Izraelit do të luajmë për fitore. Si ne ashtu edhe Izraeli kemi nga 6 pikë në renditje dhe pse jo të kemi një mundësi për të kaluar në vend të dytë, gjithnjë nëse Italia bën ndonjë hap fals.
Objektivi im në Kombëtare është që të bëj maksimumin dhe të ndihmoj ekipin tim në çdo moment që më kërkohet nga trajneri De Biazi”, përfundoi Frederik Veseli në prononcimin e tij në Supersport.