Laçi ka bërë një sezon shumë të mirë, duke u shpallur nënkampionë të Shqipërisë dhe duke arritur deri në finalen e Kupës, ku do të kenë përballë Vllazninë. Një nga lojtarët më të rëndësishëm për kurbinasit, ka qenë Julian Shehu, i cili tanimë është edhe një nga objektivat e Partizanit në merkato.
23-vjeçari ka bërë shumë mirë me Laçin që kur u transferua nga Kastrioti në verën e vitit 2019. Por me kontratën e tij që tashmë skadon, ai pritet të largohet nga kurbinasit me parametra zero.
Kryeqytetasi po bën maksimumin për të siguruar një transferim jashtë Shqipërisë, më konkretisht në kampionatin turk, por kjo nuk e pengon Partizanin ta ketë në listën e dëshirave dhe të tentojë ta bindë të bashkohet me ta. Në rast se Shehu nuk arrin të largohet jashtë vendit, Partizani ka shumë shanse për ta transferuar, pasi Shehu ka qenë pjesë e të kuqve në të kaluarën dhe bisedimet paraprake kanë nisur.