Florin Bratu nuk do të jetë më trajneri i Partizanit. Njoftimi është dhënë nga vetë klubi, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku sqarohet se palët kanë vendosur për ndërprerjen e bashkëpunimit.
Si rrjedhojë e performancës së dobët që ka sjellë edhe rezultatet negative në 6 javë kampionat, drejtuesit vendosën që t’i njoftonin “fletëdaljen” rumunit. Humbja në derbi me Tiranën vuri “pikat mbi i” të kësaj krisje.
Drejtimin e të kuqve, Florin Bratu e mori më 6 korrik, ndërsa skuadrën e drejtoi në vetëm 6 sfida, 4 humbje, një barazim dhe një fitore, kjo e fundit e marrë përballë Vllazninë në Shkodër. Ecuri e dukshme që ndikoi në vendimin drastik për të mos vazhduar më tej bashkëpunimin.
Në vazhdim, skuadra do të drejtohet nga Alfred Deliallisi, trajneri i ekipit B, teksa po punohet për të gjetur edhe pasuesin e Bratus, ku ideja po përqëndrohet kryesisht në profilet që vijnë nga Kroacia.






