Vetëm para pak minutash, klubi i Partizanit ka njoftuar në rrjetet sociale marrëveshjen me mesfushorin ofensiv, Sebastjan Spahiu.
26-vjeçari i është bashkuar “Demave të Kuq” me parametra zero, ndërsa ky afrim vjen vetëm një ditë para derbit me Tiranën, ndeshje e vlefshme për javën e 6-të në Abissnet Superiore.
“FK Partizani ka kënaqësinë të zyrtarizojë arritjen e marrëveshjes me mesfushorin ofensiv Sebastjan Spahiu. 26-vjeçari bashkohet me të kuqtë pas eksperiencës së fundit pozitive te Shkëndija e Tetovës, skuadër me të cilën u aktivizua edhe në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Mesfushori shkodran ka firmosur me Partizanin një kontratë dyvjeçare, me opsion rinovimi për një sezon tjetër. Transferimi u realizua edhe falë angazhimit të ish-sulmuesit të Partizanit, Xhevahir Sukaj. Lojtari është prezantuar nga presidenti i klubit, Gazment Demi”, shkruan klubi i Partizanit.
Spahiu ka debutuar edhe me Kombëtaren, konkretisht më 10 shtator 2024 ndaj Gjeorgjisë, periudhë kur trajner ishte Sylvinho. Për sa u takon klubeve, nuk mungojnë ato nga Spanja, si CD Guijuelo dhe CD Izarra, sikurse në Superiore me Laçin dhe Egnatian.
View this post on Instagram






