Kjo javë pritet të jetë tejet vendimtare për Egnatian që do të luajë shanset e saj të kualifikimit për në “play off” të UEFA Europa League përballë Shamrock Rovers. Sfida e kthimit do të luhet në Rrogozhinë këtë të enjte dhe te kampionët e Superiores ekziston motivi për të dhënë gjithçka për përmbysjen e madhe.
Një çështje, së fundmi, që ka kapluar kampin rrogozhinas është edhe ajo e kapitenit Albano Aleksi. Kartoni i kuq i marrë ndaj Petrocub që pasoi dhe me minutat e pakëta në përballjen me NK Celjen ku u aktivizua vetëm 4 minuta, shkaktuan spekulime se mes Aleksit dhe Egnatias marrëdhënia kishte prekur fundin.
Mirëpo, siç raporton “Superliga Shqiptare Fan Club”, për Aleksin është vendosur qëndrimi, duke hedhur poshtë zërat për largim. Sipas këtij burimi, thuhet se ka qenë vetoja e presidentit Agim Demrozi që ka hequr çdo “mjegull” dyshimi për të ardhmen e tij, vendim ky që i është komunikuar dhe trajnerit Nevil Dede për ta marrë në konsideratë për këtë duel.
Mbetet për t’u parë nëse, referuar këtij vendimi, Aleksi do të rikthehet si protagonist me Egnatian dhe Dede do t’i japë shanse të aktivizohet në 90 minutëshin delikat dhe më vendimtarin.






