Me një derbi të fituar përballë Partizanit dhe momentit pozitiv që po jeton në kampin bardheblu, tashmë Tirana ka zhvendosur plotësisht fokusin tek përballja me Laçin e cila do të luhet të shtunën në orën 13:30.
Këtë javë, kryeqytetasit duhet të zgjedhin se ku do ta luajnë këtë përballje, pasi stadiumi i tyre, pra “Selman Stërmasi” nuk është në gjendjen e duhur për organizimin e sfidës, ndërsa “Air Albania” është “prenotuar” nga Egnatia për ndeshjen evropiane me Midtjylland në Conference League.
E vetmja “pistë” që po vlerësohet nga Tirana është stadiumi i Vorës, ku gjendja e fushës paraqitet e mirë e nga ku mund të presin kurbinasit. Një tjetër impiant që i përket një skuadre të Superiores nuk përjashtohet, ndërsa vendimi do të merret brenda pak ditëve, për të garantuar edhe organizimin sa më transparent ndaj tifozëve që do të jenë prezent.






