Vllaznia zgjidhi përfundimisht çështjen e stolit. Të enjten në mbrëmje, erdhi zyrtarizimi i largimit të Edi Martinit, ndërsa sonte në mëngjes, klubi njoftoi emërimin e Csaba Laszlo, i cili nga sot merr detyrën e rëndësishme për të vijuar me përgatitjet për ndeshjen e ardhshme të kampionatit.
Një tranzicion i detyrueshëm dhe pas 5 javësh në Superiore, i cili u mendua si alternativa e vetme për të ndryshua “pllakën” në kampin kuqeblu. Forma e dobët ishte “vula” për shkarkimin e Martinit, edhe pse duhet thënë se pikërisht me këtë trajner, u vendos zgjatja e bashkëpunimit, në fundin e sezonit të kaluar.
PRETENDIMET E MARTINIT QË NË NISJE - E mori drejtimin e Vllaznisë me synimet e qarta, rikthimin e klubit te titulli pas 25 vitesh mungesë. Një rrugëtim i cili e katapultoi skuadrën në vendet e para të klasifikimit dhe shpesh herë duke e përfunduar në krye të renditjes, deri në çastin më vendimtar në “Final Four”.
U mendua se Vllaznia e Martinit kishte gjithçka në dorë për të bërë ëndrrat realitet të shumë tifozëve shkodranë, por gjithçka u zbeh në “marshin” drejt 4 finaleve. Një Vllazni e “fikur” që qëndroi e ndezur vetëm në sezonin e rregullt të edicionit të kaluar.
PREMTIME TË SHPESHTA - Vetë trajneri Edi Martini shfaqej i bindur në prononcimet para ndeshjeve se do të bëhej çmos për ta sjellë titullin në Shkodër, madje duke ngritur stekën se nuk do të honepste asnjë kundërshtar në misionin për të ngjitur Vllazninë, aty ku i takon.
PËRPLASJA ME LOJTARIN - E gjitha ndodhi në ndeshjen mes Vllaznisë dhe Elbasanit, ku u raportua për një përplasje mes trajnerit Martini dhe mbrojtësiz Andrey Yago. Madje, mediat që e raportuan këtë, shkuan edhe në përshkallëzim, duke shkruar se Martini e kishte pështyrë lojtarin. Vetë ky i fundit, reagoi në rrjetet sociale duke i cituar Biblën.
BOJKOTET PAS NDESHJEVE – Veprimi i Martinit për të braktisur prononcimet për mediat pas ndeshjeve, u komentua gjatë që në ndeshjet e fundit të edicionit të kaluar, pas një “përplasje” mes tij dhe moderatores që drejton emisionin “Supergol” në RTSH, Hygerta Sako. Edhe pse u paralajmërua nga Disiplina për të mos përsëritur të njëjtin veprim dhe për të treguar transparencë me publikun dhe ekranin, Martini zgjodhi të mos bëj pas, duke ia lënë këtë përgjegjësi zëvendëstrajnerit, Ergi Borshi.
Rikthimi i Edi Martini te Vllaznia u mendua si një pikënisje për të vetmen ambicie që po jeton prej më shumë se një dekade te shkodranët. Titulli. Mirëpo, premtimet mbetën vetëm në letër, ndërsa rezultatet provuan medaljen e kundërt. Tashmë me largimin e tij dhe ardhjen e rumuno-hungarezit, Csaba Laszlo, Vllaznia “rifreskon” idetë dhe shkon me synimin e qartë në rikthimin e kampionatit, fillimisht për t’u larguar nga “zona e ftohtë”, e më pas për të pretenduar diçka më shumë, së paku, zonën europiane.






