Të tjera detaje kanë dalë mbi situatën që kaploi sot Egnatian, sa i takon ndeshjes që do të luajë nesër me Midtjylland, e vlefshme për raundin e parë të Conference League. Pasi u përfol për një shtyrje të ndeshjes, shkaku i protestave masive në kryeqytet, faqja e klubit doli me një njoftim publik ku sqaroi se ndeshja do të luhet, pavarësisht aludimeve për një spostim të përballjes.
Siç duket, ky vendim i Egnatias ka patur edhe trysninë nga UEFA, e cila i ka vënë dhe ultimatum që të respektojë “paktin” e organizimit, që kjo ndeshje të luhet në “Air Albania” në orën 18:45, ashtu siç është planifikuar edhe në protokollin zyrtar.
Në rast se Egnatia do të merrte vendime për ta shtyrë ose luajtur në një impant tjetër, do të vuante pasojën: Humbje në tavolinë dhe gjobë të majme, gjë që do të rëndonte dukshëm rrogozhinasit që në startin e rrugëtimit evropian. Sa i përket sigurisë, kjo mbetet pikëpyetja më e madhe, kjo edhe për shkak se Policia nuk ka patur një reagim mbi mbarëvajtjen e përballjes.







