Plot 5 skuadrave u pikon çatia këtë sezon të Abissnet Superiores. Probleme të theksuara me linjën e prapavijës dhe mbrojtje të destabilizuara që pësojnë rregullisht. Podiumin e mban Partizani që ka pësuar deri më tani 21 gola, dukshëm shifër shqetësuese për të kuqtë.
Pas Partizanit, vijnë Vllaznia dhe Vora me 16 gola të pësuar, Tirana me 15 dhe Laçi me 14. E vetmja skuadër që deri më sot që ka një raport të shëndetshëm me golavarazhin është Teuta. Vetëm 4 gola të pësuar, madje 5 më pak edhe se Egnatia që kryeson tabelën e klasifikimit.
Me sistemin e lojës që prodhon gjithmonë intensitete të ndryshme dhe prezantime filozofish të kundërta nga njëra tjetra, ku fiksohen tranzicione dhe depërtime të guximshme në të gjitha segmentet e fushës, prania e kësaj statistike verifikon në njëfarë mënyre qasjen plot risqet që ndërmarrin të gjitha skuadrat e përfshira në garë, sa në njërin krah në tjetrin.
Dhe në këtë këndvështrim, më shumë se stabilizimi i mbrojtjes për të themeluar një skuadër kompakte dhe të mirëorganizuar në fushë, trajnerët preferojnë pikët dhe ngjitjen në hierarki, ajo çfarë ndodh edhe në elitën e futbollit evropian.






