Në prag të derbit të parë për këtë sezon në Abissnet Superiore mes Partizanit dhe Tiranës, ka folur para mediave trajneri i “Demave të Kuq”, Florin Bratu.
“Timonieri” i 17 herë kampionëve të Shqipërisë është ndalur te lojtarët e dëmtuar, mundësitë që të jenë gati për të luajtur dhe rëndësia e kësaj përballjeje, që mund të vendosë shumë.
Sa ju ka shërbyer pauza e kampionatit në prag të derbit ndaj Tiranës?
Po, këto javë kanë qenë mjaft të rëndësishme për ne, sepse kemi pasur kohë të punojmë dhe të përmirësojmë gjërat që nuk kanë funksionuar më parë.
Tani është koha që nesër lojtarët të tregojnë gjëra të mira. Unë e di që është shumë e rëndësishme, ndoshta ndeshja më e rëndësishme e vitit për tifozët tanë, dhe unë e respektoj këtë.
Ne duhet të luftojmë për ta, sepse do të jenë të shumtë nesër në stadium. Gjithashtu, është derbi i parë për mua dhe të gjithë tifozët e Partizanit duan që ta fitojmë këtë ndeshje shumë të rëndësishme.
Gjendja fizike e lojtarëve dhe mungesat
Preka dhe Malaj vazhdojnë të jenë të dëmtuar. Gjatë kësaj jave, Pasagiç ka qenë i sëmurë dhe jemi ende në pritje për të parë nëse do të arrijë të rikuperohet. Xhuljano Skuka ka qenë i dëmtuar, por gjatë kësaj jave ai është stërvitur normalisht me skuadrën. Do të shohim nesër.
Jeni në presion?
Është normale të ketë presion. Kam luajtur në nivele të larta, gjithashtu kam qenë trajner në ekipe të mira. Po ashtu, edhe Partizani është një skuadër e madhe dhe e di që gjithçka varet nga rezultati. E rëndësishme për ne është të japim maksimumin dhe të fitojmë ndeshjen.






