Tirana sfidon nesër Partizanin në derbin e parë të kryeqytetit, në kuadër të javës së 6-të të “Abissnet Superiore”. Dueli i cili do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, do të nisë prej orës 18:30. Prag këtij dueli, foli për mediat dhe trajneri i bardhebluve, Dean Klafuriç.
“Kishte disa avantazhe dhe disavantazhe pauza e kombëtares, por më tepër do të veçoja anët pozitive. Ne e kemi përgatitur çdo gjë shumë mirë, për mua është shumë e rëndësishme që lojtarët janë gati dhe për këtë jam i lumtur.
Unë e dija këtë që prej fillimit dhe për mua është një nder i madh të jem pjesë e një derbi në Shqipëri! Unë kam qenë pjesë e derbit të Kroacisë dhe po ndodh edhe tani, kam qenë gjithashtu pjesë e disa derbeve në botë si ajo në Angli dhe në derbin e Varshavës, kështu që unë ndihem i nderuar qe jam tani në krye të Tiranës.
Ne jemi gati, jemi të gjithë në kondicionin e duhur, përveç Verës i cili mungon prej disa kohësh. Janë rikthyer edhe lojtarë të tjerë! Përveç pjesës taktike kemi shtuar edhe stërvitjen në palestër me programe te dedikuata fitnesi për të rikuperuar futbollistët e për të qenë gati për derbin e së dielës.
Në futboll kjo është normale, une kam gjithë jetën në futboll dhe më pëlqen ky lloj presioni përpara derbit, kjo është gjë e mirë dhe na mban të karikuar, une i uroj suksese trajnerit të Partizanit, por shpresoj që ta fitoj këtë sfidë.
Në derbi nuk ka favoritë, derbi është derbi, nuk ka rëndësi renditja në klasifikim, e rëndësishme është të futesh në fushë dhe të japësh më të mirën. Ne duhet të tregojmë kulaitetin tonë dhe kjo është më e rëndësishmja”, tha Klafuriç.






