Tirana mposhti Partizanin në derbin e parë të kryeqytetit, për llogari të javës së 6-të të “Abissnet Superiores”. Ndeshja përfundoi 3-1 në favor të bardhebluve. Meritë në këtë fitore pati edhe Redon Xhixha i cili shënoi golin e parë të sfidës pas një goditje perfekte nga jashtë zonës. Pas duelit në “Air Albania”, foli për mediat, sulmuesi dhe njëkohësisht kapiteni i Tiranës.
“E nisëm shumë mirë. Arritëm të shënojmë. Kishim dhe disa raste të tjera që mund ta çonin në 2-0. U tërhoqëm prapa, nuk e di pse ndodhi. Do ta diskutojmë dhe do mundohemi ta rregullojmë sepse ishte shumë shpejt që të ktheheshim prapa. Do ta diskutojmë gjatë javës dhe do të gjejmë pikat që nuk shkojnë mirë dhe do t’i rregullojmë.
Sa vlen fitorja, e rikthen Tiranën te objektivat që ka? Fitorja në derbi është gjithmonë një moral shtesë, jo vetëm për ekipin e Tiranës por edhe gjithë qytetin. Edhe nëse do ta kishim humbur do të ishte moral për Partizanin sepse derbi është i gjithë qytetit që e pret dhe gjithmonë ka një moral tjetër dhe kur e fiton një derbi je shumë i kënaqur.
Ju ngjit goli në derbi, ke shënuar dhe më përpara? Ka sekret? Sekret nuk ka por, di unë, gjeta hapësirën dhe godita. E provova dhe shkoi gol. Ndoshta është edhe çështje fati, nuk e di”, tha Xhixha.






