Qendërmbrojtësi Arbenit Xhemajli mund të konsiderohet pa asnjë dyshim si vlerë e shtuar për Superioren. 28-vjeçari i ka dhënë fund rrugëtimit me Egnatian, ndërsa ka firmosur me Selangor FC në Malajzi.
Në 3 vite me ekipin rrogozhinas, Xhemajli fitoi gjithçka, 3 kampionate, 1 Kupë dhe 1 Superkupë të Shqipërisë. Kampionët e Superiores, i kanë adresuar mesazh falënderimi Arbenit Xhemajlit për këtë rrugëtim 3-vjeçar me nota të larta vlerësimi.
“Falëminderit, Arbenit Xhemajli! Ka njerëz që nuk lënë vetëm gjurmë në fushë, por edhe në zemrat e të gjithëve që janë pjesë e klubit. Sot i themi faleminderit Xhemajlit për çdo sakrificë, çdo betejë, çdo emocion dhe çdo moment të dhuruar me fanelën e Egnatias.
Përkushtimi, profesionalizmi dhe karakteri yt kanë qenë një shembull për të gjithë. Bashkë kemi përjetuar sfida, fitore, trofe dhe momente që do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë sonë.
Rrugët tona ndahen, por kontributi yt nuk do të harrohet kurrë. Të urojmë shëndet, suksese dhe arritje edhe më të mëdha në kapitullin e ri të karrierës. Falëminderit për gjithçka, Arbenit! Egnatia do të jetë gjithmonë shtëpia jote”, ka shkruar klubi rrogozhinas.
View this post on Instagram






