Tashmë është zyrtare, Florin Bratu nuk është më trajner i Partizanit. Pas njoftimit që erdhi pak minuta më parë përmes një komunikimi publik të bërë nga vetë klubi në rrjetet sociale, u vendos që palët të ndërpresin këtu bashkëpunimin mes tyre.
Gjithçka u qartësua në mbledhjen e zhvilluar ditën e sotme, ku vendimi u “vulos” pas humbjes në derbin e kryeqytetit përballë Tiranës, 1-3 në “Air Albania”. Vendin e Bratu do ta marrë përkohësisht Alfred Deliallisi, i cili ka punuar më parë me ekipin B të Partizanit.
Drejtuesit në anën tjetër kanë nisur nga puna pasi i duhet të veprojnë me shpejtësi për të gjetur dhe kandidatin që do të pasojë në këtë detyrë rumunin, deri në fundin e sezonit të rregullt.
Në media qarkullojnë një sërë alternativash, teksa fokusi i Partizanit shihet më shumë jashtë Shqipërisë, më specifikisht në Kroaci aty ku po vlerësohen disa profile, të cilat ende nuk kanë nxjerrë emra konkretë.
Koha po ecën dhe vështirësia sa vjen dhe rritet tek Partizani për të gjetur një zgjidhje që do të kënaqte të gjitha palët. Më 18 tetor do të luhet sfida me Vorën dhe ditët janë të limituara për të bërë “paktin” me të riun.







