Një ditë pas njoftimit për shkarkimin e Florin Bratus nga pozita e trajnerit, Partizani ka nisur kërkimet për pasuesin e tij. Pista ku janë përqëndruar më së shumti të kuqtë është krocia, aty ku sipas mediave, po qarkullon edhe një emër konkret.
Fjala është për Mislav Karoglan. Kroati po mendohet si alternativë kryesore dhe qëndron në “pole position” për të marrë këtë detyrë të rëndësishme te “Demat e Kuq”. Përvoja e Karoglan prek klube të njohura evropiane si Hajduk Split, Istra dhe Sheriff Tiraspol.
Gjithashtu, trajneri kroat ka dhe një eksperiencë të freskët në Superligën e Kosovës, aty ku drejtoi Ballkanin që prej 25 nëntorit të vitit të kaluar, deri më 26 gusht, ku u largua nga detyra dy javë pas nisjes së kampionatit për arsye personale.
Momentalisht, Partizanin po e drejton Alfred Deliallisi, i cili po e mbulon përkohësisht këtë pozicion derisa drejtuesit të gjejnë edhe pasuesin e Florin Bratu. Ky i fundit përjetoi momentin më të keq në pankinën e kuqe, duke regjistruar bilance zhgënjyese, 4 humbje, 1 barazim dhe një fitore.






