Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

SUPERIORE

FORMACIONI/ Tirana përfaqësohet nga 3 lojtarë, ndjekin Egnatia dhe Vllaznia! Më të mirët e javës dhe trajneri fitues

Shkruar nga NEWSPORT
FORMACIONI/ Tirana përfaqësohet nga 3 lojtarë, ndjekin Egnatia
Formacioni i javës, Abissnet Superiore

“Abissnet Superiore” mbylli javën e 6-të me tre ndeshjet e fundit që u mbyllën të dielën, respektivisht fitorja e Egnatias 1-2 përballë Laçit, triumfi i Tiranës në derbin e kryeqytetit 1-3 me Partizanin, si dhe Vllaznia që mposhti Dinamon minimalisht 1-0 në Shkodër.  Si çdo javë, “Newsport” përzgjedh 11-shen më të mirë, duke u bazuar tek performanca në fushë e lojtarëve që spikatën në të gjitha ndeshjet si dhe trajnerin fitues.

Paul Bernandoni (TEUTA) – Më i miri në fushë në ndeshjen që Teuta fitoi 2-0 ndaj Skënderbeut në Durrës. Priti një penallti që mund të hapte llogaritë e sfidës dhe të ndërlikonte sfidën për ekipin durrsak. Konfirmon çdo ndeshje që është në lartësinë e duhur. Absolutisht, një blerje e qëlluar në merkato.

Ardit Toli (TEUTA) – Kryen me sukses të gjitha detyrat në prapavijë dhe shpesh del në aksionet e skuadrës duke krijuar dhe kombinuar me shokët. Në korsinë e djathtë arrin të mbulojë më së miri hapësirat dhe shndërrohet në elementin kyç të mbrojtjes kur duhet të reagojë.

Bojan Ilievski (TIRANA) – Përpos gatishmërisë për të “frenuar” kundërsulmet e Partizanit, shënon një nga golat e fitores në derbin e kryeqytetit. I shpëton shumë mirë mbulimit të mbrojtjes së kuqe dhe ndëshkon lehtësisht portierin Qirko për rezultatin 2-1.

Emiljano Musta (VLLAZNIA) – Fitore minimale dhe porta e paprekur përballë Dinamos. Sigurisht, meritë e jashtëzakonshme e Mustës që ndihmon shkodranët të largojnë rrezikshmërinë nga aksionet e dinamovitëve. Tre pikët e para të këtij sezoni janë kontribut i çmuar dhe i shtatlartit të prapavijës.

Basilio Ndong (TIRANA) – Ndërmerr veprime të guximshme nga krahu i majtë dhe krijon aksione të rrezikshme duke provuar shpesh pasimet drejt sulmit. Në fitoren 1-3 të Tiranës, konfirmohet bindshëm në prapavijë dhe kthehet në “arsenal” të rëndësishëm kur duhet të përfshihet edhe në aksionet sulmuese.

Albano Aleksi (EGNATIA) – Kapiteni mbetet “ogur” për rrogozhinasit. Përfshihet në prishjet e aksioneve duke ndërhyrë saktë në mesin e fushës. Koordinohet me pjesën tjetër të skuadrës për të kontrolluar linjat dhe ndërtuar aksione premtuese.

Armir Boriçi (ELBASANI) – Në barazimin 1-1 me Vorën, jep një pasim, në dukje “aksidental” për Mazarin që shënon të parin e duelit. Në vija të përgjithshme një performancë shumë e mirë nga talenti i verdhebluve i cili ka përfituar shumë nga rregulli i ri për aktivizimet e lojtarëve të rinj në Superiore.

Redon Xhixha (TIRANA) – Shënon një supergol përballë Partizanit që i hap rrugën një ndeshje perfekte nga Tirana. Bardheblutë gjejnë fitoren në derbin e kryeqytetit dhe një meritë të veçantë e ka dhe sulmuesi që transformohet në “magjistar” në ndeshje me peshë të tilla.

Karim Loukili (EGNATIA) – Goli i tij “çliron” Egnatian, pasi ndeshja po shkonte 1-0 në favor të Laçit. Gabon goditjen e parë të penalltisë dhe korrigjon menjëherë duke goditur saktë të dytën herë. Një “aset” për trajnerin Nevil Dede në formacionin startues.

Bernard Karrica (VORA) – E disata herë që shënon për vorakët dhe u jep një pikë të tijëve. Goli vjen në limitet e pjesës së parë, ndërsa çdo ditë konfirmon rëndësinë në sulm për ekipin e Arjan Bellait.

Edon Murataj (VLLAZNIA) – Shënon një eurogol që vendos edhe fitoren e parë të Vllaznisë përballë Dinamos, 1-0 në Shkodër. Kthesa e rezultateve vjen nga mesfushori me tipare ofensive i cili mban “gjallë” shpresat e shkodranëve për të vazhduar ritmin pozitiv dhe larguar “hijet e zeza”.

Trajneri fitues – Dejan Klafuriç (TIRANA) – Me meritë, më i miri në këtë fundjavë që lamë pas. Vendosja taktike ishte e duhura që solli dhe fitoren e tij të parë në derbi duke mposhtur Partizanin pritës. Kroati e studion shumë mirë kundërshtarin dhe me zëvendësimet e kryera “godet” në momentin e duhur çfarë përkthehet me “lavdi personale” dhe sukses kolektiv.

Lexo gjithashtu