Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

SUPERIORE

FORMACIONI/ Më të mirët e javës së 4-të në Superiore, lojtarët dhe trajneri fitues

Shkruar nga NEWSPORT
FORMACIONI/ Më të mirët e javës së 4-të në
Formacioni i javës, Abissnet Superiore

“Abissnet Superiore” mbylli llogaritë e javës së katërt në fundjavën që lamë pas me dy ndeshjet e fundit, Laçi - Vllaznia (2-0) dhe Elbasani - Egnatia (2-1). Si çdo javë, “Newsport.al” përzgjedh lojtarët që kanë spikatur më shumë gjatë këtyre përballjeve, me në krye trajnerin fitues.

Gabriel Guri (Laçi): I vendosur në katërkëndëshin e portës duke i mohuar lojtarëve të Vllaznisë shansin për të hapur takimin. Pas golit të parë të kurbinasve, shkodranët patën raste të mira për shënim, por Guri ishte aty për të mbajtur portën e paprekur. 3 pikët për Laçin janë edhe meritë e tij.

Ardit Toli (Teuta): Në linjën e prapavijës një “mur” për të neutralizuar goditjet e kundërshtarit. Përballë Vorës i kreu detyrat në mbrojtje në mënyrën më të mirë të mundshme. Një prej lojtarëve më të rëndësishëm për Edlir Tetovën në këtë repart.

Bruno Dita (Dinamo): Statusi prej kapiteni e bën Ditën të konsiderohet një shtyllë për ekipin e Ilir Dajës. Edhe pse Dinamo pësoi 2 gola në një ndeshje që dhuroi spektakël nga të dyja kampet, Dita ishte në lartësinë e duhur duke ndihmuar shpeshherë të tijët për të larguar rrezikun nga prapavija.

Vasilis Zhongo (Teuta): Sërish mes më të mirëve në formacion. Sigurisht performanca në fushë mbetet në nivele të larta duke treguar vendosmërinë e duhur në linjën e qendrës tek durrsakët. Një vlerë e shtuar për skuadrën e Edlir Tetovës

Florian Përgjoni (Teuta): Firmëtar në suksesin e Teutës është edhe mbrojtësi i krahut të majtë. Jo vetëm i aftë në mbulimin e zonës së tij, por edhe depërtues në aksionet që durrsakët krijojnë në thellësi për të gjetur golin. Me Përgjonin në fushë, korsia e majtë e durrsakëve e ndjen sigurinë dhe “peshën” për të vepruar edhe në reparte më të avancuara.

Orgi Cena (Laçi): I jep avantazhin të tijëve në derbin e veriut përballë Vllaznisë. Përgjithësisht paraqitje pozitive dhe jep kontributin e duhur në fushë. Rikthimi te fitorja e Laçit nuk ishte rastësor dhe vendosja taktike në fushë prodhoi 3 pikët e radhës, një prej “vulave” e mban Cena.

Klevi Qefalija (Dinamo): Një “benjamin” për trajnerin Ilir Daja. Në derbin me Partizanin nuk merr pjesë tek golat e shënuar te dinamovitët, por prania e tij duket se zgjidh çdo gjë në mesfushë. Një furnizues i mirë me topa, shpesh herë edhe kërcënues kur duhet të shkaktojë “shkëndija”.

Armir Boriçi (Elbasani): Që prej se u inkuadrua në skemat e trajnerit Gvozdenovic, talenti i verdhebluve ka shfaqur aftësitë e tij dhe konsiderohet një prej elementëve më të çmuar, jo vetëm të Elbasanit dhe në mbarë Superioren. Përballë Egnatias tregoi potencial që nuk duhet nënvlerësuar dhe se me trajnerin serb në pankinë mund të fitojë edhe më shumë minuta në vazhdim.   

Ardit Nikaj (Elbasani): Shpërthimet e tij në korsinë e majtë rezultuan “vdekjeprurëse” për Egnatian në humbjen e parë në kampionat. Dy golat e parë të shënuar në Superiore nga shkodrani i cili është meritor absolut për fitoren e parë të arritur te Elbasani i Gvozdenovic. Goli i dytë sidomos, një silurë e vërtetë.

Muço Boçi (Teuta): Përveç pasimit vendimtar për golin e parë, thuajse fantastik në mesfushë. I kudondodhur dhe krijon raste për shokët e skuadrës. E disata herë që del edhe “Lojtari i Ndeshjes” për shkak të kontributit në fushën e lojës, çfarë sjell edhe pikët e fituara.

Anthony Umejiego (Teuta): Shënoi të parin përballë Vorës në një kombimim perfekt me Muço Boçin. Momentalisht ka një kuotë premtuese golash duke u kthyer në një “ogur” të mirë për trajnerin Tetova në repartin ofensiv. Duket se blerja e tij në merkato ka rezultuar e qëlluar.

Trajner -> Edlir Tetova (Teuta): Nuk mund të kishte dyshime, pas fitores së tretë radhazi në Superiore. Ajo ndeshje përballë Vorës është një vazhdimësi e punës së tij, ndërsa ndalesa e Egnatias në Elbasan i dha atij kreun. Puna po shpërblehet dhe sigurisht “arkitekti” Tetova po bën atë që pritej që prej startit të sezonit, krijimi i një grupi me potencial lojtarësh dhe kandidaturë për titull.

Poll

Lexo gjithashtu