“Abissnet Superiore” mbylli llogaritë e saj të javës së 2-të me të gjitha ndeshjet që u zhvilluan nga dita e premte e deri këtë të hënë, në harkun e tre ditëve. Si çdo javë, “Newsport.al” sjell dhe formacionin me lojtarët më të mirë që spikatën në këto përballje, si dhe trajnerin fitues.
Aldo Teqja (Dinamo) – Pritjet e tij mbanë në lojë skuadrën e Ilir Dajës që në minutat e para. Nëse Dinamo u largua me tre pikë nga dueli me Skënderbeun, një meritë të veçantë ka dhe vetë gardiani i portës.
Ysni Ismaili (Dinamo) – Mbetet i pakonkurrueshëm në korsinë e djathtë. Shpesh herë përfshihet në aksione dhe mundohet të zbatojë me përpikmëri të gjitha detyrat që i jep trajneri Ilir Daja. Mund të konsiderohet pa dyshim edhe një prej lojtarëve më të mirë të Dinamos.
Arlind Kurti (Laçi) – Mbrojtësi i qendrës i kurbinasve bëri gjithçka mundi që të “frenojë” aksionet e lojtarëve të Partizanit. Një “mur” i vërtetë në prapavijë.
Vasilios Zogos (Teuta) – Një prej autorëve të golave përballë Tiranës. Vigjilent në aksionet e bardhebluve dhe një “armë” më shumë në prapavijën e “Djemve të Detit”.
Andre Yago (Egnatia) – Edhe pse në rolin e mbrojtësit të krahut, nuhatja e tij për gol mbetet po e njëjta. Shënon golin e fundit të fitores 1-3 të rrogozhinasve përballë Vorës.
Edon Murataj (Vllaznia) – Shënoi të parin në sfidën Elbasani – Vllaznia. Edhe pse në fund skuadra shkodrane nuk ia doli të fitojë në fund, Murataj çmohet për vlerat e tij në repartin e mesfushës dhe bëhet një pikë referimi për trajnerin Edi Martini.
Klevi Qefalija (Dinamo) – Dha pasimin vendimtar për golin e Florenc Farrukut në fitoren 0-1 të “bluve” kryeqytetas përballë Skënderbeut.
Stiven Bibo (Laçi) – Shënoi dy golat deçiziv të fitores së kurbinasve përballë Partizanit. Goli i parë ishte një “silurë” e vërtetë. Ndeshja e dytë që prodhon një paraqitje niveli në fushë.
Alessandro Albanese (Egnatia) – Një nga golat e përmbysjes ndaj Vorës mbajnë edhe firmën e sulmuesit italian. Hyn në fushë në pjesën e dytë dhe bëhet menjëherë protagonist.
Rubin Hebaj (Elbasani) – I dha një pikë të çmuar verdhebluve duke shënuar në pjesën e dytë. Në sulm mbetet “kërcënim” i vazhdueshëm për mbrojtjet kundërshtare.
Muço Boçi (Teuta) – Dha kontributin e tij duke shënuar një nga tre golat e durrsakëve në fitoren 3-1 përballë Tiranës. U shpall edhe “Lojtari i Ndeshjes”.
Nevil Dede (Egnatia) – Me meritë, trajneri më i mirë i javës. Lëvizjet e tij duke futur titullarët teksa skuadra po humbiste 1-0 ndaj Vorës rezultuan kyçe duke i shkaktuar kundërshtarit humbjen e parë në kampionat. Momentalisht, Egnatia ndodhet në krye dhe me pikë të plota.






