Teuta – Partizani, e mbyllur në favor të të kuqve, 0-1, ishte dhe përballja që mbylli llogaritë për javën e 10-të të “Abissnet Superiore”, ndërsa në të njëjtën ditë u luajt edhe Vora – Dinamo, takim i përfunduar në barazimin 2-2. Nga këto rezultate dhe në bazë të paraqitjeve të lojtarëve më të spikatur në fushë, “Newsport.al” sjell tek ju formacionin më të mirë, i udhëhequr nga trajneri fitues.
Pano Qirko (Partizani) – Nëse Partizani ia doli të marrë tre pikët në Durrës, një falënderim mund t’i shkojë Qirkos që ishte fenomen në fushë me pritjet e bëra. Neutralizon çdo goditje dhe mban të paprekur portën, për herë të parë pas 6 ndeshjeve në kampionat.
David Atanaskoski (Partizani) – Shënoi golin me vlerën e fitores minimale në “Niko Dovana”. Një goditje mjaft e bukur nga distanca që gjen të mposhtur portierin e vendasve. Në vija të përgjithshme bën një performancë të mirë në prapavijë dhe shpesh del në aksione, për të bashkëpunuar me pjesën tjetër të skuadrës.
Elmando Gjini (Elbasani) – Mbrojtësi i Elbasanit u paraqit në maksimumin e tij. Në ndeshjen “dramatike” me Laçin, Gjini tregon lartësinë e duhur në sigurinë që jep për verdheblutë.
Georgios Lagonidis (Skënderbeu) – Mbrojtësi grek i korçarëve e ka fiksuar prej javësh vendin e titullarit në formacionin bazë të Julian Ahmatajt dhe këtë e dëshmon edhe paraqitja e tij në fushë. I çmuar për Skënderbeun në repartin defensiv dhe me kurajo shkon përtej zonë së komfortit duke marrë përsipër edhe detyra të tjera në aksione të rrjedhshme.
Edon Murataj (Vllaznia) – Shkodranët morën vetëm një pikë nga transferta me Skënderbeun, ndërsa mesfushori Murataj u përfshi shpesh në vijën e parë të sulmit duke ndihmuar sa në njërin krah në tjetrin. I lëvizsshëm në mesfushë dhe aset i rëndësishëm për Laszlon në këtë repart.
Dion Vata (Partizani) – Mesfushori i datëlindjes 2009, shkëlqen në shansin e parë që i jepet për ta nisur nga minuta e parë dhe jep më të mirën në fushë. Talenti i “Demave” spikat dhe tregon pse Karoglan nuk gaboi me këtë zgjedhje të guximshme në formacion.
Malomo (Dinamo City) – Çfarë supergoli shënon dhe shpallet edhe “Goli më i mirë”! Mesfushori i dinamovitëve “karikon” të djathtën në topin e marrë në këmbë dhe mposht portierin Harizaj duke mos i lënë aspak shanse. Goli i shënuar prej tij barazon shifrat në 1-1.
Dario Daka (Vora) – Në momentet e fundit, i jep Vorës një pikë në përballjen me Dinamon. I dyti radhazi që shënon dhe i dhuron pikë vorakëve, me meritë “Lojtari i Ndeshjes” pas sfidës. Pikë kyçe në krahun e djathtë dhe i rrezikshëm në çdo inkursion që merr si anësor.
Alessandro Albanese (Egnatia) – Mbetet “ajka” e Egnatias në çdo çast. Qoftë kur e nis titullar apo kur futet nga stoli. Mesfushori i rrogozhinasve zbavit në çdo prekje të topit dhe e shpërndan në mënyrë të mrekullueshme tek shokët e skuadrës. Nëse Egnatia ka një lojtar nga i cili mund ti besojë për të zgjidhur një ndeshje, pa frikë mund të quhet rasti i Albaneses.
Karim Loukili (Egnatia) – Barazon shifrat përballë Tiranës dhe merr iniciativa të mira për të bashkëpunuar dhe për të “dridhur” mbrojtjet rivale. Ashtu sikurse Albanese, edhe Loukili mbetet element i rëndësishëm në themelet e grupit që ka ndërtuar Nevil Dede. Blerja e tij nga Elbasani, goditje e madhe.
Atdhe Mazari (AF Elbasani) – Nëse Glen Daja mori 3 pikët e radhës me përmbysje ndaj Laçit, faktor u bë sulmuesi nga Kosova, Mazari. Goli i shënuar në minutën e 67-të, duke përfituar nga një aksion në një zonë tepër të ngushtë, “çliroi” verdheblutë. Nga ndeshja në ndeshje po tregon lartësinë në aftësitë për të konvertuar shanset në gol.
Trajneri fitues - Mislav Karoglan
Fitorja e parë, u kry! Edhe pse u desh të priste në ndeshjen e katërt për të provuar ndjesinë e këtij rezultati, kroati guxon dhe tregon se Partizani nuk “vdes” kurrë, pavarësisht momentit që po kalon. U jep besim talentëve të rinj, në këtë rast Dion Vatës. Nëse Teuta nuk ia doli të “çante” mbrojtjen e të kuqve, duket se strategjia e trajnerit ka funksionuar. Mirëpo, ka ende punë për të bërë për të merituar stafetën e “heroit”.






