Mislav Karoglan, Partizani e bëri zgjedhjen për pankinën. Ish-trajneri i Ballkanit në Superligën e Kosovës u prezantua sot nga klubi i kuq përmes një njoftimi në rrjetet sociale. Një përgjegjësi e madhe kjo për kroatin pasi zbarkon në kryeqytet me detyrën për të shpëtuar nga kriza “Demat e Kuq”.
Epoka e tij te Partizani nis nga sot, për t’i paraprirë edhe sfidës së parë zyrtare në stol që do ta ketë me Vorën, e dielë ora 13:30. Zgjedhja e Karlogan në stolin e të kuqve, konfirmon edhe fiksimin e presidentit Gaz Demi për trajner që janë lëvruar në skuadrat që i përkasin Ballkanit. I fundit ishte Florin Bratu, nga Rumania.
Por, pyetja që me të drejtë tifozët e kësaj skuadre ushtrojnë, është se çfarë fshihet pas profilit të Karoglan, ai që do të drejtojë Partizanin në momente vështirësie. Fillimet e karrierës, kroati 44-vjeçar i pati me Hajdukun e Splitit ku iu besua roli i zëvendëstrajnerit përpara se të shkonte në 3 muaj qëndrim. Bilanci me skuadrën? 8 fitore dhe 4 barazime, rezultate vërtetë surprizë.
“Rrëshqitja” e Karoglan erdhi te Istra, aty ku trajneri qëndroi në krye të skuadrës vetëm tre javë dhe u shkarkua pas vetëm një pike të marrë. Humbja 6-0 ndaj Rijekës nuk u kapërdi dhe drejtuesit e Istrës vendosën ta heqin. Karoglan u rikthye sërish te Hajduku i Splitit në tetor të vitit 2023. Pavarësisht se ishte në garë për të fituar titullin, gjithçka u zbeh në 4 javët e fundit të kampionatit, çfarë solli dhe largimin e dytë.
Nga Sheriff Tiraspol në Moldavi drejt Kosovës - Kapitulli me gjigantin moldav rezultoi pozitiv në vija të përgjithshme. Në 20 ndeshje, i fitoi 14, ndërsa 6 u mbyllën në barazim. Zbarkimi i fundit përkon me Ballkanin një vit më parë. Zëvendësoi në këtë detyrë të ikurin Orges Shehin. Nëse nuk do të “frenohej” nga rezultatet në 5 javë nga fundi, do të mund të udhëhiqte skuadrën drejt titullit.
“CV”-ja mbi shpinë dhe Partizani - Ka kaluar shumë mbi shpatulla ndërsa tani ka një përgjegjësi akoma dhe më sfiduese. Të shpëtojë skuadrën e Superiores nga momenti në të cilin ndodhet, të punojë me psikologjinë e një grupi të demotivuar dhe të mbledhë “copëzat” për të formuar projektin e tij. Ndalesa e parë do të jetë me Vorën dhe aty do të jetë edhe testi i parë për Karoglan.






