Lëvizje të rëndësishme pritet të ndodhin te Teuta, teksa një nga emrat më të rëndësishëm të skuadrës duket se është pranë largimit. Bëhet fjalë për kapitenin Blerim Kotobelli, e ardhmja e të cilit në Durrës është vënë në pikëpyetje.
Burime për "Newsport.al" pranë klubit, bëjnë me dije se mbrojtësi i majtë mund të mbyllë shumë shpejt aventurën e tij me skuadrën durrsake, për të vijuar karrierën te një tjetër ekip i Abissnet Superiores.
Situata ka marrë një tjetër rrjedhë pas ardhjes në pankinë të trajnerit Edlir Tetova, ndërsa nuk përjashtohet që ndryshimet në projektin teknik të kenë ndikuar edhe në të ardhmen e kapitenit.
Ndërkohë, të njëjtat burime kanë zbuluar se vetë Kotobelli ka shfaqur hapur dëshirën për ndërprerjen e bashkëpunimit me Teutën. Deri në këto momente nuk dihen arsyet që kanë çuar mbrojtësin drejt këtij vendimi, ndërsa drejtuesit dhe lojtari nuk kanë bërë ende një reagim publik.
Nëse palët arrijnë marrëveshjen për prishjen e kontratës, Kotobelli pritet të jetë një nga lojtarët që do të lëvizë në merkaton e Superiores, falë eksperiencës dhe cilësive që ka treguar ndër vite.
Mbetet për t’u parë nëse do të ketë një kthesë të papritur në këtë histori apo nëse rrugët e Teutës dhe kapitenit të saj do të ndahen përfundimisht pas një bashkëpunimi të gjatë.






