Vllaznia do të përballet me Dinamon, në ndeshjen e vlefshme për javën e 6-të të “Abissnet Superiore”. Sfida e cila është përcaktuar të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi” këtë të dielë, do të nisë prej orës 18:30.
Për këtë përballje, në një intervistë të dhënë për “Newsport.al”, ka folur mesfushori i dinamovitëve, Malomo. Nigeriani ka prekur periudhën e ndalesës se si i ka shërbyer skuadrës, përgatitjet për ndeshjen e ardhshme në Shkodër dhe ambiciet e kryeqytetasve për këtë sezon.
Jemi në javën e rikthimit të Superiores. Sa është shfrytëzuar pauza e kombëtareve për të menaxhuar energjitë?
Pauza ndërkombëtare na ka dhënë kohë si ekip që të rikuperojmë, në veçanti për disa lojtarë që janë rikuperuar nga dëmtimet. Dhe na ka mundësuar që të luajmë disa miqësore e të zhvillojmë programe stërvitore individuale.
Ndeshja me Vllazninë në Shkodër. Si po e përgatit trajneri Ilir Daja këtë transfertë delikate?
Trajneri i qëndron gjithmonë filozofisë së tij dhe e përgatit skuadrën si në çdo ndeshje tjetër.
Kundërshtari në fjalë ka pësuar ndryshime, shtojmë këtu dhe formën e dobët. A do përfitojë Dinamo për t’i dhënë një tjetër goditje?
Vllaznia janë në një formë të dobët, por nuk mund të nënvlerësosh asnjë ekip në Superiore sepse çdo ndeshje është një sfidë e fortë dhe duhet të japësh gjithçka nëse do të marrësh të gjitha pikët. Dhe duke ditur plotësosht se ata kanë një trajner të ri, do të ndryshojët tërësisht mentalitetin dhe presim një ndeshje të vështirë. Por, ne duam të vazhdojmë të mbajmë këtë ecuri fitoresh.
Malomo po kthehet në element kyç për trajnerin, a ju ndihmon pozicionimi në fushë apo mund të bëni akoma dhe më mirë në role të tjera të avancuara?
Si futbollist duhet të jesh i përshtatshëm në çdo pozicion për sa kohë trajneri beson tek ty. Por, unë mendoj se trajneri e di që unë luaj shumë mirë në atë pozicion.
A është Dinamo për titull këtë sezon, apo prisni të përballeni fillimisht me Teutën dhe Egnatian për të thënë diçka të tillë?
Kampionati ka një rrugë ende të gjatë dhe që ta fitosh titullin duhe të fitosh çdo ndeshje. Teuta dhe Egnatia janë skuadra shumë të forta në Superiore dhe kandidate për të fituar kampionatin. Duhet të bëjmë gjithçka për t’i ndalur në çdo takim. Duhet të tregojmë mentalitet dhe karakter nëse duam të fitojmë titullin këtë sezon.






