Gjuetia për pikë në “Abissnet Superiore” ka marrë përmasa të frikshme. Teksa po i drejtohemi javës së 11-të, përpara se kampionati të shkëputet për t’i lënë vendin ndeshjeve të kombëtareve, disa qartësi po “kullojnë” mbi staturën e pretendentëve. Egnatia kryesuese deri më tani ka fituar 24 pikë nga 30 të mundshmet, ndërsa Teuta si ndjekëse më e afërt, 20 të tilla.
Në këtë drejtim, skuadra e Nevil Dedes ka marrë stafetën për t’u konsideruar favorite absolute për titullin e 4-të radhazi. Faktorizuar gjithashtu edhe nga ndeshja direkte, ku rrogozhinasit i mposhtën 1-0 në sajë të golit të shënuar nga Adjessa.
Përtej kësaj, në stinën e gjuetisë e cila është akoma në fazat e sendërtimit të idesë mbi “posturën” e skuadrës që do të bëjë më pak gabime deri në fund të maratonës në Superiore, pikët janë ende në diskutim. Kundërshtari janë pretë dhe në diskurs janë strategjitë që do të shpalosen nga dy trajnerët protagonistë të kampionatit, Nevil Dede dhe Edlir Tetova.
Shkrepjen e parë në distancë e bën pikërisht kampionët në fuqi duke mposhtur me përmbysje Tiranën, ndërsa përfituan dhe nga një “asist” i Partizanit për të mbajtur pak larg rivalin e sivjetshëm për titull. Ndryshon kundërshtari, por jo ideali! Një frymë që duket se jeton tek rrogozhinasit me themelet e forta që vështirë se i rrëzon edhe kalendari.
Teuta në anën tjetër nuk stepet nga ambicia dhe mban ende aktive gjurmët për t’i qëndruar pas Egnatias, në pritjen e vetme kur kjo e fundit të bëjë rrëshqitjen vendimtare për t’ia rimarrë vendin. Njëjtë siç bëri vetë Egnatia në rastin e parë që durrsakët gabuan, pikërisht aty ku s’pritej.
Nuhatja e një trajneri si Dede mund të jetë edhe preteksti kryesor që skuadra e tij nuk dorëzohet kurrë, ndërsa Tetova në anën tjetër zgjedh të jetë i qetë pavarësisht dy disfatave. E merr shtruar dhe ngurron të shprehet para kohe, ashtu siç jemi mësuar me standardin e tij.
Faza e dytë pritet të jetë akoma dhe më zbavitëse se e para. Ndoshta e treta mund të jetë më përcaktuese në vijën e finishit. Por, me siguri diçka e dimë. Që në stinën e gjuetisë së pikëve, Egnatia dhe Teuta do bëjnë çmos që të mos shpërdorojnë hapin në ndjekjen e tyre.






