Të gjithë mund të mundin këto. Kjo ishte deklarata e dhënë nga trajneri i Partizanit, Mislav Karoglan, pas fitores 0-1 në transfertë ndaj Teutës. Disa fjalë të cilat rrodhën spontanisht nga kroati, e që në fakt po marrin kuptim në trajta të përgjithshme, nëse kthejmë sytë nga renditja aktuale e tabelës, pas 10 javësh kampionat në “Abissnet Superiore”.
Nga vendi i parë, tek mesi i tabelës e deri tek fundi i saj. Diferenca e ngushtë në pikë i jep të gjithave mundësinë të besojnë tek objektivat që kanë. Kreu po luhet në dy drejtime mes Egnatias dhe Teutës, edhe pse nuk përjashtohet që kësaj valleje ti ribashkohet sërish Dinamo.
Mesi i tabelës është një tjetër histori më vete. Nga Elbasani e deri tek Skënderbeu, pikët janë 3, lehtësisht të rikuperueshme në një ndeshje të vetme. Shtojmë këtu edhe Laçin që është baraz me pikë me rivalët korçarë, edhe pse ndodhet në “zonën e kuqe”. Pikërisht, vendet e fundit nxjerrin “tablo” akoma më interesante, ku Vllaznia dhe Partizani janë në garë për të mbijetuar. Distanca mes këtyre dy skuadrave është në 2 pikë.
Çudia e Superiores na lë të kuptojmë se në këtë sezon, favoriti paraqitet në fushë për ta vërtetuar se sa e meriton rezultatin, ndërsa parashikimet mbeten thjesht në teori. Një garë zbavitëse, e pazakontë, skuadra që nisen për të “prishur punë”, e të tjera që duan të shpëtojnë “kokën” e tyre.
Bilance që njëfarë mënyre, po i shkon përshtat edhe formulës së re të Superiores, ku asgjë nuk është e garantuar dhe askush s’mund të ndihet plotësisht i sigurt se do t’ia arrijë qëllimit. Një maratonë ndeshjesh ku në çdo gabim faturohet në klasifikim dhe tabela mbetet gjithmonë verdikti që nxjerr sheshit gjendjet e vërteta të skuadrave.
RENDITJA PAS JAVËS SË 10-të:






