Fabjan Përndreca pritet të vazhdojë karrierën jashtë Shqipërisë pas paraqitjeve pozitive me Dinamon në muajt e fundit. Mesfushori i Shqipërisë U21 ishte huazuar nga Bylisi te blutë për aventurën në Conference League, ku zhvilloi shtatë ndeshje dhe shënoi edhe një gol ndaj Aluminij.
Pas përfundimit të rrugëtimit europian dhe javëve të para të Superiores, Dinamo dhe Bylisi nuk arritën një marrëveshje për transferimin përfundimtar të futbollistit, duke bërë që Përndreca të largohej nga kryeqytetasit.
Megjithatë, e ardhmja e 21-vjeçarit nuk do të jetë në Ballsh. Sipas “Superliga Shqiptare”, lojtari është pranë transferimit te Al-Ittihad Kalba në elitën e futbollit të Emirateve të Bashkuara Arabe, ku do të gjejë edhe shqiptarin Rejan Alivoda. Nga kjo lëvizje, Bylisi pritet të përfitojë rreth 600 mijë dollarë, një shumë e konsiderueshme për klubin ballshiot.







