Mes ndryshimeve të shumta që shoqëruan klubin e Tiranës gjatë kësaj vere, një prej risisve që po tërheq vëmendjen, vjen jashtë fushe. “Bardheblutë” i kanë besuar zërin e tyre një figure të re, energjike dhe të apasionuar pas sportit, Ejona Cufes, e cila është emëruar zëdhënësja e re e klubit.
Pas një verë të karakterizuar në ndryshim stafi dhe skuadre, Tirana ka zgjedhur që të sjellë një tjetër risi në strukturën drejtuese, duke i dhënë Ejonës përgjegjësinë për të qenë ura lidhëse mes klubit, tifozëve, medias dhe pulbikut. Një rol që kërkon jo vetëm profesionalizëm dhe komunikim të mirë, por mbi të gjitha pasion.
Sporti për Ejonën nuk është thjesht një profesion apo angazhim i ri. Është një pjesë e rëndësishme e përditshmërisë së saj. Kjo, pasi shumicën e ditës e gjen në pistën e vrapit, aty ku disiplina, këmbëngulja dhe dëshira për të kapërcyar kufinjtë e saj, e kanë kthyer në një mënyrë normale jetese, pra në një rutinë.
Tashmë, nga pista e vrapimit drejt klubit më të titulluar në Shqipëri, Ejona Cufe nis një kapitull të ri. Këtë herë nuk do të jetë në pistë, por do të mbajë “mbi supe” një pjesë të rëndësishme të klubit të Tiranës.
Si zëdhënëse e Tiranës, Cufe do të përcjellë zërin “bardheblu” te tifozët dhe opinioni publik. Për një njeri që njeh nga afër “shpirtin e garës”, ky rol mund të jetë më shumë se një detyrë, duke marrë shkas këtu edhe klubin në të cilin do të punojë.
Me një profil të ndërthurur me sportin dhe komunikimin, Ejona duket se vjen në një moment ku Tirana kërkon jo vetëm të ndërtojë një skuadër të re, por edhe një mënyrë të re për t’iu afruar njerëzve dhe mbështetësve të saj. Tashmë në një klub ku çdo fjalë ka peshë, Ejona nis rrugëtimin e ri si “zëri i Tiranës”.






