Ditën e sotme do të jepet edhe verdikti final mbi të ardhmen e trajnerit Florin Bratu, i cili rrezikon vërtetë shumë pas asaj humbje në derbi 1-3 nga Tirana, ndeshje e zhvilluar për llogari të javës së 6-të të Superiores. Rumuni do të mbajë një diskutim me drejtuesit, aty ku do të caktohet se çfarë drejtimi do të zgjedhin palët.
Vetë trajneri mund të quhet disi “i pafat” nëse i referohemi asaj çfarë prodhoi fusha e lojës, me rastet në favor të të kuqve dhe dy shtyllave të Aliut që i “privuan” nga festa. Po ashtu, vlen të theksohet edhe shansi i Human, i cili gaboi gjithçka në një penallti në lëvizje, duke shpërdoruar asistin e dhënë nga Skuka.
Gabim i pafalshëm që mund t’i kushtojë shtrenjtë vendin e punës trajnerit Bratu, fati i të cilit është në “fije të perit” tek skuadra. Edhe pse në media po “zien” mbi shkarkimin e tij, gjithçka do të vendoset këtë të hënë, ku do të kuptohet se çfarë do të ndodhë ekzaktësisht me të ardhmen e stolit të kuq.






