Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tirana ka njoftuar se në zbatim të vendimit të Komisionit të Disiplinës, do të jetë e detyruar t’i zhvillojë dy sfidat e radhës në shtëpi këtë sezon pa praninë e tifozëve.
E para pritet të jetë ajo me Vorën, ndeshjen që do ta luajë në “Selman Stërmasi”, e përcaktuar për t’u zhvilluar të dielën prej orës 16:00. Pikërisht, disa ditë para zhvillimit të këtij dueli, “bardheblutë” kanë dalë edhe me njoftimin zyrtar që shpjegon edhe dënimin nga Disiplina, i cili duhet vënë në zbatim në këto dy ndeshje.
“Na vjen keq që skuadra do të duhet t’i zhvillojë këto ndeshje pa mbështetjen e drejtpërdrejtë të tifozerisë tonë, e cila ka qejë dhe do të mbetet pjesë e pandashme e identitetit, historisë dhe forcës së KF Tiranës”, shkruan më tej klubi që ka dhe mesazh drejtuar lojtarit me numër “12”.
Kujtojmë se me përfundimin e dënimit për 2 ndeshje, Tiranës do t'i rikthehen tifozët për sfidën ndaj Elbasanit. Për koiçidencë, kundërshtari me të cilin ndodhi edhe dhuna në Elbasan.
NJOFTIMI ZYRTAR
KF Tirana njofton të gjithë tifozërinë bardheblu dhe opinionin sportiv se, në zbatim të vendimit të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës pranë FSHF-së, klubi është dënuar me zhvillimin e dy ndeshjeve pa praninë e spektatorëve.
Për rrjedhojë, ndeshja e ardhshme që KF Tirana do të zhvillojë në shtëpi do të luhet me dyer të mbyllura, pa praninë e tifozëve në stadium.
Na vjen keq që skuadra do të duhet t’i zhvillojë këto ndeshje pa mbështetjen e drejtpërdrejtë të tifozërisë sonë, e cila ka qenë dhe mbetet pjesë e pandashme e identitetit, historisë dhe forcës së KF Tiranës.
Pa ju në tribunë. Me ju në fushë.






