Largimi i Florin Bratu nga stoli i Partizanit e çon në dy numrin e trajnerëve të larguar nga skuadrat e Superiores këtë sezon të ri. Ishte fillimisht Edi Martini që iku nga Vllaznia, pasi klubi shkodran i komunikoi vendimin e shkarkimit, për shkak të rezultateve negative në 5 javët e fundit. I njëjti varg u shoqërua sot nga Bratu i cili mori “fletën” e largimit nga të kuqtë, duke bërë që skuadra të mbetet në “kaos” pas 6 javësh kampionat.
Vendimet për largimin e trajnerëve në sezonet e fundit janë kthyer në një “ves” të vjetër, ndikuar sa nga mungesa e rezultateve të shpejta, por edhe zgjedhjet e gabuara për trajnerët që përfundojnë në “lupë” kritikash, si nga ana e tifozëve, po ashtue dhe nga mbarë opinioni publik sportiv. Gjithçka lind nga një shtypje butoni e presidentëve të klubeve që bëjnë “kurban” trajnerët të cilët s’e kanë justifikuar aq sa duhet besimin e dhënë, por edhe koston që marrin mbrapsht kur bëjnë zgjedhjet e gabuara sa i takon emërimeve në stol.
E kaluara e rrëfen qartë se trajnerët nuk kanë patur progres të gjatë në futbollin tonë, me përjashtime shumë të pakta. U duhet kohë dhe shpesh koha nuk u punon në favorin e tyre në çastet kur u nevojitet. Besimi është “hallka” e parë e një bashkëpunimi, ndërsa koha mbetet “gjykatësi” më i mirë për të vlerësuar punën e trajnerit. Mirëpo, në Shqipëri, më saktësisht në “brumin” që është gatuar në futbollin vendas, është e vështirë të përputhësh, besimin dhe kohë, pasi kostoja është në fund, rezultati.






