I afruar në merkaton e verës me parametra zero, qëndërsulmuesi Tomislav Kis po rezulton efikas në fazën ofensive, dy gola në dy ndeshje me Tiranën. 32-vjeçari kroat është përshtatur mjaft mirë me bardheblutë dhe jep garanci në majë të sulmit.
Jo vetëm rezultativ para portës rivale, por edhe kontribues për shokët e ekipit (asisti kundër Vorës), sikurse fiton metra me forcën fizike që posedon.
Kis me statistikat dhe pozicionin në fushë, ngjason shumë me ish-bomberin e Tiranës, Pero Pejiç, edhe ai kroat. Me vetëm 1 sezon te “rekordmenët” e Shqipërisë (2010-2011), Pejiç shënoi 15 gola në 33 ndeshje, e përkthyer me suksesin në Kupën e Shqipërisë, 2011.
Mbetet për t’u parë nëse Tomislav Kis do të jetë kaq produktiv edhe në vijim, ndërsa deri tani ka treguar maturi në konkretizimin e rasteve dhe shtytjen e ekipit drejt zonës rivale.






