Emisioni i radhës i “Në Shtëpinë e Futbollit” në FSHF TV u fokusua te nisja pozitive e Kombëtares shqiptare në UEFA Nations League, me kuqezinjtë që kanë regjistruar dy fitore në dy ndeshjet e para dhe kryesojnë grupin C1.
Nën drejtimin e Lenida Halilaj, të ftuar në studio ishin drejtori i Eventeve në FSHF, Tritan Kokona, dhe gazetari sportiv Elvis Rexha. Në qendër të diskutimit ishte ecuria e Kombëtares dhe paraqitjet në dy ndeshjet e para të këtij edicioni, ndaj Bjellorusisë dhe San Marinos.
Një lidhje direkte nga Cesena me Lenida Halilajn solli në emision atmosferën pranë ekipit Kombëtar dhe situatën e skuadrës, e cila ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës ndaj Finlandës. Në vijim u diskutua edhe për fitoren 3-0 ndaj San Marinos, ndërsa u transmetuan prononcimet e Samuele Sinës dhe Cristian Shpendit pas ndeshjes.
Skema e trajnerit Rolando Maran, risitë e sjella në lojën e ekipit dhe mënyra se si Kombëtarja po ndërton ndeshjet e saj ishin gjithashtu pjesë e diskutimit. Në fokus ishte edhe sfida e radhës, Finlandë–Shqipëri, e konsideruar një ndeshje e rëndësishme për ecurinë në grup dhe objektivin për vendin e parë.






