Ish-mbrojtësi i Kombëtares, tashmë në rolin e trajnerit, Ditmar Bicaj, së fundmi ka treguar një prapaskenë nga ndeshja Shqipëri – Norvegji (7 qershor 2013), e vlefshme për kualifikueset e "Botërorit 2014".
Teksa Shqipëria po kryente seancat stërvitore, kryeministri i kohës, Sali Berisha, shkoi për vizitë, së bashku me ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Visar Zhiti. Sipas Bicajt, Berisha i premtoi ekipit 300 mijë euro shpërblim, por “fatmirësisht” Shqipëria nuk fitoi.
“Doktor Berisha premtoi në grumbullim te Kombëtarja. Ai tha: ‘Në rast fitoreje kundër Norvegjisë, keni 300 mijë euro premio’. Dhe ministri nuk mund t’ia kthente fjalën kryeministrit (Berishës). Gjatë rrugës, ministri Visar Zhiti i tha Berishës: ‘Ku do t’i gjejmë paratë?’.
Kryeministri i atëhershëm ia ktheu: ‘Do t’i gjesh ku të duash’. Kur barazoi Norvegjia, ministri u çua në këmbë për të festuar, sepse kishte frikë se ku do t’i gjente paratë”, u shpreh Bicaj.






