Ndërsa na ndajnë edhe pak orë nga ndeshja Shqipëri – Uells, e vlefshme për fazën Play-Off në Kupën e Botës 2027 për vajza, e planifikuar në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës (ora 18:00), stafi i Kombëtares i ka ardhur në mbështetje ekipit.
Nga trajneri Armir Grima, zëvendëstrajnerja Lucie Gjini, Nikiforos Vieros (trajner fitnesi), Elis Ligataj (trajner portierësh), Xhoen Tugu (videoanalist), Genta Nallbani (doktoreshë), Selime Mustafaj (fizioterapiste) deri te Aisel Oseku (fizioterapist), madje edhe zonja që kujdeset për uniformat, i kanë dërguar një mesazh ekipit dhe tifozëve për të shkruar historinë në një moment kaq kulminant për futbollin e vajzave të Kombëtares sonë.
“Sepse ne kemi po aq rëndësi sa djemtë. Sepse këto vajza japin gjithçka për fanellën kuqezi. Sepse pas kësaj fanele ka shumë përkushtim, punë dhe ëndrra. Sepse këto vajza e meritojnë mbështetjen tonë.
Sepse këto vajza nuk luajnë vetëm për veten, por edhe për ne. Sepse për një vajzë të luajë futboll është sakrificë. Sepse dashuria e tyre për futbollin është e pakufishme.
Sepse këto vajza kanë arritur shumë falë sakrificës së tyre. Sepse i kanë dedikuar gjithë jetën e tyre futbollit dhe pasionit, në këmbim të asgjëje.
Dhe besoj që detyra jonë kryesore është që më 9 tetor t’i mbështesim në stadium, që këto vajza të arrijnë ëndrrën e tyre”, janë disa nga fjalitë që stafi i Shqipërisë së vajzave në futboll i ka adresuar skuadrës dhe mbështetësve.
View this post on Instagram






