Federata e Futbollit vijon angazhimin për zhvillimin e një infrastrukture sportive më të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin, në kuadër të projektit ADRIONOSPORTS, ku FSHF është partnere zyrtare.
Në këtë kuadër, në ambientet e Shtëpisë së Futbollit u zhvillua një workshop mbi Ekonominë Qarkulluese, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të klubeve shqiptare dhe administratës së FSHF-së.
Workshop-i u fokusua në konceptet dhe parimet kryesore të Ekonomisë Qarkulluese dhe në mënyrën se si ato mund të zbatohen konkretisht në sektorin e sportit, veçanërisht në menaxhimin e infrastrukturës sportive, organizimin e aktiviteteve dhe eventeve, përdorimin e burimeve dhe menaxhimin e mbetjeve.
Sesioni u zhvillua nga Prof. Asc. Romina Koto, eksperte në fushën e Ekonomisë Qarkulluese, me qëllim rritjen e njohurive dhe ndërgjegjësimit të pjesëmarrësve, si dhe identifikimin e praktikave konkrete që mund të aplikohen në aktivitetet dhe infrastrukturën e FSHF-së.
Një nga drejtimet kryesore të projektit ADRIONOSPORTS është promovimi dhe zbatimi i parimeve të Ekonomisë Qarkulluese në sektorin e sportit. Në këtë drejtim, FSHF synon të përshtatë dhe implementojë praktika të qëndrueshme, me fokus të veçantë te stadiumi “Air Albania”.
Reduktimi i përdorimit të plastikave njëpërdorimëshe, përmirësimi i menaxhimit dhe ndarjes së mbetjeve, si dhe rritja e riciklimit janë ndër fushat ku mund të ndërmerren hapa konkretë për një infrastrukturë sportive më të qëndrueshme.
Përmes këtij bashkëpunimi dhe aktiviteteve të tilla, FSHF synon të forcojë njohuritë dhe praktikat e qëndrueshme në futbollin shqiptar, duke e lidhur zhvillimin e infrastrukturës dhe organizimin e aktiviteteve sportive me parimet e mbrojtjes së mjedisit dhe përdorimit efikas të burimeve.
IPA ADRION është një program bashkëpunimi që përfshin vendet e rajonit të Adriatikut dhe Jonit dhe mbështet, ndër të tjera, iniciativa që synojnë promovimin e Ekonomisë Qarkulluese dhe rritjen e qëndrueshmërisë së infrastrukturës dhe aktiviteteve sportive.






