Kristi Vangjeli u ndëshkua me karton të kuq gjatë takimit Partizani – Skënderbeu pas ndërhyrjes në dëm të Agustin Torassas, ku kujtojmë që korçari u fut me kokë dhe u dëmtua rëndë, aq sa u kërkua ndihma e ambulancës për shoqërimin e tij me urgjencë në spital.
Pas këtij dëmtimi, Vangjeli u dërgua në spital e mandej ka udhëtuar drejt Selanikut për të marrë ndihmë më të hollësishme për t’u rikuperuar në kohë. Por, mbrojtësi i krahut të djathtë duket se do t’i duhet kohë në dispozicion për t’u rikthyer në formën e mëparshme. I kontaktuar nga “Supersport”, Vangjeli tregon problemin e tij dhe se kur do të kthehet në fushë.
“Kam dhimbje në pjesën e majtë të qafës. Po e kuroj me terapi jashtë Shqipërisë. Rikuperimi mund të bëhet për 10 ditë ose 2 javë. Përsëri rrezikoj sepse në rast se luaj, mund të gjuajë një top me kokë dhe mund të shfaqet sërish problemi. Kështu që kjo gjë duhet rikuperuar në mënyrën më të mirë që edhe nëse kthehem në stërvitje, të mos rrezikoj”.
Më tej mbrojtësi foli dhe për skeptikët, të cilët dyshojnë te skuadra bardhekuqe, teksa ai thotë: “Skënderbeu e meriton vendin që ka. Ka bërë gjithçka për të qenë aty. Ka një grup shumë të mirë. Do të ndryshojnë mendjen skeptikët shumë shpejtë”.