Është mbyllur 1-1 sfida mes Skënderbeut dhe Bylis në Korçë. Ballshiotët kalojnë më tej në Kupën e Shqipërisë, pasi në ndeshjen e parë fituan 1-0. Ndeshja ka qenë e luftuar nga të dyja skuadrat, ndërsa kanë qenë vendasit që me Mensah kanë gjetur rrugën e rrjetës në pjesëne parë.
Fraksioni i parë është mbyllur mes polemikash, ndërsa një penallti e akorduar dhe anulluar më pas, ka tensionuar miqtë nga Ballshi. Gjithsesi, pjesa e dytë do të ishte mjaft e bukur, ndërsa një gol i Malçit vendos ndeshjen 1-1.
Bylis bëhet ekipi i katërt pas, Tiranës, Teutës dhe Kukësit që shkon në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Tanimë pritet e premtja, ditë kur do të hidhet shorti për të vendosur çiftet gjysmëfinale të Kupës. Për Gol pas Goli, lojtari Donald Mëllugja i Bylis tha:
Momenti i kthimit të 11 metërshit? Nëse arbitri e ka dhënë penallti dhe e kthen në 10 sekonda, jam dakord që ta kthej. Nëse rri 10 minuta dhe merr mendime nga tifozët nuk është korrekte. Na ka ndodhur me Tiranën që mori topin me dorë dhe na tha në fund që është kthyer.
Ishte penallti ? Unë kam goditur takën. Po e shoh dhe nuk jam analist. Tendencë kishte, shkoi te topi para meje. Edhe jepet edhe jo. Rasti i golit për Bylis a ishte faull? Edhe jepet faull, ka kontakt.
“Na është ngushtuar rrethi, luajmë 12 lojtarë dhe jo më shumë. Nuk ishim në formë më të mirë, na duhen pikët. Nuk ka justifikim. Do japim më të mirën në Kupë pasi në kampionat kemi bërë hapa fals. Skënderbeu është ekip i fortë, sot na ka shpëtuar Miraka. Besoj se do ia dalim në Kupë”, u shpreh Mëllugja.