30 qershori ishte afati i vendosur nga UEFA për t’u mbyllur çdo kompeticion në çdo shtet të Europës. Por, tashmë duket se është arritur një akord paraprak për t’u shtyrë kjo datë. Përhapja e Coronavirusit në mbarë botë dhe rritja e numrit të infektuarve ka bërë që mos të ketë më një datë fikse për përfundimet e kampionateve.
Ndaj po hartohet një plan B, ku ndër të tjera thuhet se deri në mes të korrikut të kenë përfunduar kampionatet sipas modaliteteve të zgjedhura nga Federatat e çdo shteti. Sipas këtij skenari, çdo ligë të mbyllej në verë, ndërsa lojtarët do të kenë dy javë kohë për të pushuar. Megjithatë pritet të shihet nëse ky skenar do të zyrtarizohet nga ana e UEFA-s.