Trajneri i Kombëtares kuqezi, Edy Reja ka publikuar sot listën me emrat e lojtarëve të ftuar për dy ndeshjet miqësore që Shqipëria luan në 5 dhe 8 qershor me Uellsin dhe Skocinë. Ndër emrat që mungojnë në listë është edhe ai I Eduart Rrocës. Fantazisti i Istanbulspor ka bërë një sezon fantastik me 9 gola dhe 12 asiste, ndërsa nuk është parë e udhës që të jetë pjesë e kuqezinjve.
Pak ditë më parë, Rroca ishte lojtari shqiptar më I vlerësuar nga Sofa Score për atë çka bëri këtë sezon si edhe për rritjen e tij të jashtëzakonshme. Ish-i i Luftëtarit dhe Kukësit sërish nuk është preferuar nga Reja, që ka dhënë një përgjigje të shkurtër në lidhje me temën.
“Rroca dhe Gjasula? Rrocën e kemi ndjekur dhe është interesant si lojtar. Sa I takon Gjasulës, ka pasur probleme fizike dhe ka ndryshime në klubin e tij. Skuadra do nisë grumbullimin shumë shpejt, më kërkoi lejë nëse mund të mos ishte në këto ndeshje dhe ne duhet të mbështesim lojtarët. Kam Abrashin dhe Ramadanin në këto role por na duheshin cilësitë e tij”, u shpreh Reja.