U largua nga Teuta në drejtim të Kastriotit në merkaton e janarit. Bëhet fjalë për Edison Ndreca, mbrojtësi i krahut të majtë që tashmë do të vazhdoi karrierën të krutanët. Te skuadra durrsake Ndreca nuk gjeti hapësirat e duhura dhe në këtë mënyrë u largua për të luajtur më shumë minuta dhe te Kastrioti i garantojnë një gjë të tillë. Një prononcim për “Telesport” mbrojtësi ka folur për aventurën e tij të re si edhe për mbijetesën e Kastriotit në Superligë.
“Jam i kënaqur për debutimin, edhe pse kupa ishte në plan të dytë për ne. Jemi përgatitur fort dhe do të përgatitemi seriozisht për ndeshjen ndaj Luftëtarit, për të marrë patjetër pikë, pse jo pikët maksimale, që do të na ndihmonin shumë për të arritur mbijetesën”, shprehet Ndreca.
Mbijetesa? “Është herët për të bërë llogari, thjesht duhet të futemi për fitore në çdo ndeshje. Kemi 18 finale përpara, nuk ndryshon shumë vetëm pas një ndeshjeje”.
Largimi nga Teuta? Është e vërtetë që nuk pata shumë hapësira në Durrës, ndaj vendosa të largohem. Te Kastrioti kam gjetur një ambient të ngrohtë dhe shpresoj të arrijmë edhe objektivin e klubit”.
Ndeshjet larg Krujës? “Po, fakti që luajmë larg Krujës mund të jetë problem, por ka ekzistuar që në fillim të sezonit, nuk kemi çfarë të bëjmë, këto janë kushtet”.
Në lidhje me kundërshtarët, Ndreca nuk veçon ndonjë ekip: “Realisht të gjitha ekipet janë aty-aty, nuk ka diferenca të mëdha, si mes atyre për titull, ashtu edhe atyre që luftojnë për mbijetesë. Ne shpresojmë ta nisim mbarë dhe të marrim pikët që na duhen, çdo ndeshje është si finale”.